Takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i nisi me kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Keith Self, të cilin e mirëpriti në mjediset e Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York.
Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në ShBA.
Kryeministri e njoftoi kongresistin Self për investimet që janë bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë këtu pajisjet dhe armatimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit bilateral në mbrojtje.
“Ndër të tjera, ai theksoi vendimet e qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme nga ShBA-të të shtetasve të vendeve të treta dhe, së fundmi, heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si shprehje dhe dëshmi e partneritetit të besueshëm”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, gjithashtu u theksua roli dhe rëndësia e diasporës shqiptare në ShBA në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe shtimin e bashkëpunimit në sektorin privat përmes fasilitimit të investimeve të huaja direkte.
“Kryeministri e ftoi kongresistin Self për vizitë në Kosovë dhe e falënderoi atë për qëndrimet dhe përkrahjen publike të tij ndaj Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO dhe struktura të tjera euroatlantike, teksa theksoi interesimin dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj për bashkëpunim edhe më të afërt me miqtë tanë në Kongres dhe me qeverinë amerikane në promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta të të dy vendeve”, thuhet tutje në njoftim të zyrës së kryeminisitrit.
Kryeministri Kurti po qëndron në New York për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.