Pas takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkruan EkonomiaOnline.
Së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren, njëherësh ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, kryeministri ia shprehu znj.Von der Leyen mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen që Bashkimi Evropian ka dhënë për zhvillimin e vendit.
Kryeministri Kurti e njoftoi për reformat e ndërmarra në drejtësi, për angazhimet e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, luftën e pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe reformat kyçe për zhvillim dhe përafrim me Bashkimin Evropian. Ai e njoftoi Presidenten e Komisionit Evropian për rritjen ekonomike, rritjen e eksportit, të të hyrave tatimore dhe investimeve direkte në Kosovë.
Biseda u fokusua në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në mes të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit.