Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter ka njoftuar se ka zhvilluar bisedë telefonike me senatoren amerikane, Joni Ernst, të cilën tha se e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë për Forcën e Sigurisë.
“Ishte kënaqësi të bisedoj me senatoren Joni Ernst, e cila është përkrahëse e palëkundur e Kosovës në Senatin e ShBA-së. Ajo është nënkryetare e Konferencës Republikane të Senatit dhe bashkudhëheqëse e Grupit të Senatit për Çështjet Shqiptare. Ajo ka luajtur rol jetik në forcimin e Forcave tona të Sigurisë”, shkroi Kurti.
“E falënderova atë për përkrahjen e vazhdueshme për Forcat tona të Sigurisë, të cilat janë duke u transformuar në një ushtri profesionale, duke punuar në krah me Shtetet e Bashkuara për promovimin e paqes dhe stabilitetit në botë”, thuhet më tej në postimin e Kurtit.
Në fund, ai tha se u pajtua me senatoren për ta fuqizuar bashkëpunimin dhe të realizojnë vizita te njëri-tjetri sa më shpejt që është e mundur.