Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Vatikan, ka takuar autoritete të larta të Selisë së Shenjtë.
Kryeministri Mustafa sot mori pjesë në meshën e mbajtur për nderë të shenjtërimit të Nënës Terezë në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe më pas zhvilloi një takim me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e informoi për progresin në Kosovë.
Duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë, kryeministri Mustafa kërkoi mbështetje të mëtejme për Kosovën.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë.
Mustafa, po ashtu, theksoi krenarinë e madhe të popullit të Kosovës për shenjtërimin e Nënës Terezë, duke e falënderuar për respektin e posaçëm që i është bërë delegacionit të Kosovës, gjatë këtyre ceremonive.
Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, shprehu përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën, duke i uruar Kosovës mbarësi në proceset e saj zhvillimore.
Kardinali Parolin, po ashtu, theksoi kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve dhe qytetarëve të Kosovës në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.
Gjatë qëndrimit në Romë, kryeministri Mustafa ka takuar edhe Nuncin Apostolik të Vatikanit për Slloveni dhe Kosovë, Juliusz Janusz.
Lexo edhe:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/fotografi-te-politikaneve-shqiptare-ne-vatikan-foto/