Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë në Oslo të Norvegjisë. Pas takimeve të djeshme me zyrtarë tjerë, sot radha i ka ardhur takimit me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store.
Kurti ka njoftuar për takimin nëpërmjet Twitter-it, ku ka përmendur më shumë çështje që lidhen me ekonominë. E homologu i tij norvegjez, ka zgjedhur të çojë mesazhe tjera nëpërmjet një njoftimi. Ai nuk e ka përmendur në asnjë moment luftën në Ukrainë, por vetëm tema të nxehta vendëse, siç janë marrëveshjet me Serbinë që duhet të implementohen. Store është shprehur i zhgënjyer që Kosova nuk i ka lejuar zgjedhjet e 3 prillit në përputhje me praktikat që janë zbatuar me herët.
Kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Store po ashtu ka thënë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor s’mund të merret si i mirëqenë dhe se rajonit mund t’i kthehen flakët përsëri.
“Çështjet e pazgjidhura që datojnë nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish flakën rajonit”, tha kryeministri Store, siç njofton Zyra e Kryeministrit të Norvegjisë.
Temë mes dy kryeministrave ishte edhe mbështetja e Norvegjisë për Kosovën dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që ulin besimin mes tyre. Prandaj, shfrytëzova rastin gjatë takimit tonë për të shprehur zhgënjimin tim që Kosova nuk po lejon që zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizoheshin në të njëjtën mënyrë si zgjedhjet e mëparshme”, tha Store.
Po ashtu, Kurti dhe Store diskutuan se si të forcohet bashkëpunimi në zhvillimin ekonomik dhe social.
Kryeministri Kurti është takuar edhe me ministren e Punëve të Jashtme Anniken Huitfeldt gjatë vizitës së tij në Oslo. Ata diskutuan marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Norvegjisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Europë dhe dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.