Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, tha të premten në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se qeveria nacionaliste hinduse e Indisë është një shtet sponsorues i urrejtjes dhe paragjykimit kundër myslimanëve.
Duke folur në një fjalim të incizuar për një mbledhje të Kombeve të Bashkuara, e cila po mbahet në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë, Khan tha para udhëheqësve botërorë se India udhëhiqet nga islamofobia dhe kjo i kërcënon gati 200 milionë myslimanë që jetojnë atje.
“Ata besojnë se India është ekskluzive për hindusët dhe se të tjerët nuk janë qytetarë të barabartë”, tha ai, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Shefi i qeverisë pakistaneze gjithashtu i kritikoi përpjekjet e qeverisë indiane për konsolidimin e kontrollit në rajonin e Kashmirit, ku shumica e popullsisë është myslimane.
Banorët e rajonit të Kashmirit që kontrollohet nga India kanë thënë se forcat e sigurisë kanë arrestuar mijëra të rinj.
Ata pretendojnë se forcat e sigurisë i kanë bastisur shtëpitë, i kanë rrahur banorët dhe i kanë sulmuar me shok elektrik si dhe kanë kërcënuar se do t’ua marrin femrat për martesë.