Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka thënë se NATO-ja duhet “t’i lidhë pikat” dhe “të zgjohet” para përpjekjeve ruse për ta destabilizuar rajonin.
Ai tha për televizionin britanik, BBC, se ngjarjet e fundit treguan se Kremlini dhe aleatët e tij duan që ta ndryshojnë sistemin gjeopolitik dhe ta përçajnë Bashkimin Evropian.
Shefi i qeverisë polake i përmendi grumbullimin e forcave ruse afër Ukrainës, rritjen e çmimeve të gazit dhe krizën me Bjellorusinë në kufirin e vendit të tij me këtë shtet. Komentet e kryeministrit polak vijnë pak para një takimi të ministrave të NATO-s, që mbahet të martën.
Morawiecki tha se nuk është shumë vonë për të vepruar, por mund të jetë vonë pas disa muajve. “Gjëra të këqija mund të ndodhin në Ukrainë, për shembull, ose mund të ketë një problem tjetër të madh të migrimit për tërë Evropën”, shtoi kryeministri polak.
Ai foli edhe për thashethemet se Polonia mund të largohet nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, pavarësisht mosmarrëveshjeve me BE-në, thashethemet se vendi i tij mund të largohet nga blloku ishin të ekzagjeruara.
Morawiecki mohoi se qeveria e tij është duke i shkelur ligjet e BE-së me trajtimin që po ua bën emigrantëve, me kufizimet rreth abortit dhe me reformat në sistemin gjyqësor.