Konfirmimi i dy rasteve të para me Coronavirus në Shqipëri, e ka detyruar qeverinë të mbyllë të gjitha institucionet arsimore dhe të mos lejojë grumbullimin e njerëzve në aktivitetet sportive të paktën deri më 3 prill.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, tregoi masat që do të merren në mënyrë që ky virus famëkeq të mos sjellë më shumë probleme.
“Do të mbyllen të gjitha institucionet arsimore, sportive dhe kulturore në vend, pasi të rinjtë mund të transmetojnë virusin, deri në 3 prill. Do të kërkojmë anulimin e të gjitha grumbullimeve masive deri në datën 3 prill për ta parë dinamikën e këtij zhvillimi”.
Tashmë pritet një reagim sqarues nga Federata Shqiptare e Futbollit, si organizatore e kampionateve të futbollit në vend, pas kësaj deklarate të kryeministrit, aq më tepër që sot janë programuar për t’u luajtur dy ndeshje të Superiores me tifozë Skënderbeu-Kukësi dhe Vllaznia-Partizani.