Kryeministri, zëvendësministrat dhe 10 ministra fshehin shpenzimet

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 07:14 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri, të pesë zëvendëskryeministrat, si dhe dhjetë ministra kanë fshehur shpenzimet që ata, këshilltarët e tyre dhe stafi tjetër politik nga i cili janë mbështetur, i kanë bërë gjatë dy vjetëve.

Ata ia kanë pamundësuar “Kohës Ditore” realizimin e së drejtës së garantuar me Kushtetutë dhe me ligje, për të pasur qasje në harxhimet e bëra.

Disa ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, gazeta ka adresuar në Zyrën e kryeministrit kërkesën për qasje në dokumente publike, nëpërmjet së cilës ka kërkuar qasje në shpenzimet e bëra nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dalivor Jevtiq e Dardan Gashi, si dhe i gjithë personeli mbështetës i tyre, i emëruar me vendim politik, shkruan sot “Koha Ditore”.

Po kështu, kërkesa janë adresuar edhe në 19 nga 21 ministritë sa i ka Qeveria, e nëpërmjet të cilave është kërkuar qasje në shpenzimet e bëra nga ministrat dhe zëvendësministrat, e po kështu edhe nga “rekrutët” politikë që janë emëruar në kabinetet e këtyre autoriteteve.

Në pamundësi për të siguruar adresë të personave zyrtarë të caktuar për t’i trajtuar kërkesat për qasje në dokumente publike, kërkesat nuk janë përcjellë edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në atë të Zhvillimit Rajonal.

Të ngjashme