Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re në Zyrën e Kryeministrit, Avdullah Hasani, i ka ftuar 1000 mijë student të Universiteteve dhe Kolegjeve të Prishtinës, për të diskutuar lidhur me problemet, ankesat dhe sugjerimet e studentëve të Republikës.
Në këtë konventë të të rinjve dhe studentëve është miratuar një rezolutë lidhur me kërkesat dhe nevojat e të rinjve drejtuar presidentit Hashim Thaçi, krye parlamentarit Kadri Veseli e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Për veç studentëve që adresuan kritikat dhe kërkesat e tyre në emër të rektorit të Universitetit të Prishtinës fjalën e morri edhe Prorektori, Dashamir Bërxulli i cili tha se studentët duhet të kontribuojnë fuqishëm në këtë proces dhe kërkoi nga ta të shtrojnë ndikimin e tyre për projekte tjera për studentë.
“Kjo është një energji që kërkon kanalizim dhe të shprehet në mënyrë kreative. UP la obligimin që të reflektojë në përditshmëri me studentët. Puna jonë nuk matet me tituj dhe nuk bëhet me tituj por shoqëria ma shpërblen me këta tituj. Ju duhet të kontribuoni fuqishëm në këtë proces dhe mund të shtroni ndikimin tuaj që të ketë më shumë projekte për studentët”.
Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re, Avdullah Hasani, i siguroi studentët se të gjitha kërkesat e tyre do të adresohen me seriozitet të lartë dhe se do të kenë përkrahjen e tyre në çdo segment.
“Unë ju siguroj se qeveria sikurse asnjëherë më parë ka arritur kapacitetet që studentëve në Kosovë t’iu japë kushte më të mira. Sot përveç liberalizimit të vizave nga moshatarë evropianë nuk na ndan as edukimi e as arsimimi. Të rinjtë tonë dhe ata evropian dallojnë vetëm për vendin ku jetojnë”. “Zotohem se Qeveria e Kosovës kërkesat do t’i trajtojë dhe së bashku me ju do të jemi dëshmitarë që ato do t’i realizojmë bashkë me ju. Gjenerata e re është e ardhmja e Kosovës dhe kështu duhet ta shohim të gjithë”.
Hasani sugjeroi që studentët të mos bëjnë kërkesa politike, por kërkesa për përmirësimin e cilësisë në arsim dhe të ardhmen e tyre.