Kryeministrja e Zelandës së Re kritikohet për shpenzim të parave të taksapaguesve për të ushqyer beben e saj

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 14:06 | Nga

Kryeministrja e Zelandës së Re ka mbrojtur veprimin e saj për të bërë një fluturim me shpenzime ekstra për të qenë me të bijën e saj 11 javëshe.

Jacinda Ardern u kritikua se e ka detyruar një aeroplan të kthehet në Zelandë të Re pasi e kishte zbritur zëvendësin e saj, Winston Peters, në mënyrë që të mund të merrte pjesë në Forumin e Ishujve Paqësorë një ditë më pas, raporton “Sky”.

Kostoja e këtij udhëtimi shtesë me Boeing 757, e paguar nga taksapaguesit, vlerësohet të jetë nga 28 deri në mbi 56 mijë euro.

Ajo mungoi në ditën e parë të forumit tre ditor në ishullin e vogël Nauru, një fluturim pesë orë e gjysmë nga Zelanda e Re, për të minimizuar kohën larg të bijës së saj, Neve, transmeton Koha.net.

Kryeministrja, e cila e ushqen Neven me gji, tha se nuk mund të mungonte në takimin e rëndësishëm por edhe nuk mund të ishte larg të bijës së saj për tre ditë.

Neve është shumë e vogël për të marrë vaksinat mbrojtëse të kërkuara për të vizituar ishullin Nauru, vend i prekur nga tifoidi, hepatiti A dhe B, tërbimi dhe gripi.

Duke iu përgjigjur kritikave, Ardern tha: “Opsioni tjetër për mua ishte të mos merrja fare pjesë, por, duke e parë rëndësinë që i japim marrëdhënieve me Ishujt Paqësorë në raport me politikën e jashtme, nuk mu duk zgjidhje”.

“E peshova. Madje shkova deri atje sa të kontrolloja nëse mund të shkoja me veturë përmes Australisë. Shikuam disa opsione për të gjetur mënyra alternative që të shkoja atje. Opsioni ishte të shkoja shkurtimisht apo të mos shkoja fare. Nëse nuk do të shkoja, besoj se do të kishte kritika të njëjta… e mallkuar nëse shkoj, e mallkuar nëse nuk shkoj”, tha ajo për “New Zealand Herald”.

Asaj madje i është thënë se nuk ka hapësirë të mjaftueshme në Nauru për aeroplanët e të gjithë liderëve dhe kështu është dashur të parkohet në Ishujt Marshal, një orë larg.

Edhe Ministri i Financave, Grant Robertson, e ka mbrojtur atë, duke thënë se nuk ka pasur kosto shtesë pasi që qeveria ndan para për udhëtime të tilla çdo vit.

“Prandaj, nuk ka para shtesë që janë shpenzuar këtu, thjeshtë e kemi përdorur atë aeroplan 757”, tha ai.

Disa përdorues të mediave sociale dhe komentues nuk u impresionuan me vendimin e saj, e madje moderatori i “AM Show”, Duncan Garner, tha: “Urrej të kritikoj një prind sepse dëshiron të jetë me të porsalindurin e tyre. Kam qenë këtë pozitë, e kam provuar, e kuptoj krejtësisht. Por, aman, mos shko fare në mbledhje”.

Kolumnisti i “New Zealand Herald”, Barry Soper, shkroi: “Nëse Arderni do të vendoste të mos shkonte për shkak të bebes Neve, me siguri se liderët familjarë në Paqësor, më shumë se të tjerët, do ta kishin kuptuar”.

Ardern tha se nëse nuk do të merrte pjesë, do të bëhej kryeministrja e parë që nuk merr pjesë në këtë forum që nga viti 1971.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme