Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, që po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi, ka thënë në një intervistë për Politika se Modeli Nordik i bashkëpunimit është i mundshëm edhe në Ballkan.
Me rastin e diskutimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, mbi të ardhmen e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kroacisë, ajo ka thënë se duhet marrë si shembull marrëdhëniet në mes të Norvegjisë dhe Suedisë.
Ajo ka theksuar se besimi i përbashkët është sekreti i suksesit të bashkëpunimit të vendeve nordike, dhe se ky besim është rezultat i bashkëpunimit në të kaluarën.
Modeli Nordik për të cilin ka folur Solberg i referohet politikave të përbashkëta ekonomike dhe sociale në mes të vendeve nordike.