Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngushëlluar popullin turk, pas ortekëve që ua kanë marrë jetën 39 personave.
“Në mëngjes lexova në lajmet nga bota për fatkeqësinë që kanë shkaktuar dy ortekë në lindje të Turqisë. Orteku i dytë mori jetë edhe prej ekipeve të shpëtimit që po kërkonin trupat e viktimave nga orteku i parë. Deri më tani janë 39 viktima, e shpresojmë që ky numër të mos rritet. Ngushëllime për popullin mik të Turqisë, për familjarët e viktimave, e për kryesuesit e institucioneve, presidentin Erdogan dhe kryeparlamentarin Sentop”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook..
Ndryshe, orteku i dytë që ka goditur Turqinë lindore gjatë të mërkurës, ua ka marrë jetën 39 personave.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, personat e fundit që ndërruan jetë ishin nga ekipi i punëtorëve të shpëtimit, të cilët u mobilizuan për t’u dalë në ndihmë personave të ngujuar nga bora, si pasojë e ortekut të parë.