Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, raporton Ekonomia Online.
Gashi para takimit me Kurtin, ka zhvilluar një takim edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Kurti dhe Gashi zhvilluan një takim tete-a-tete, që u përcoll pastaj me një takim bilateral ndërmjet dy delegacioneve.
Sipas një komunikate për media, gjatë takimit bilateral të delegacioneve u diskutua për domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet dy kuvendeve respektive, dhe për mundësinë e mbështetjes nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës në forume dhe takime ku Kosova nuk është e pranishme apo e përfaqësuar.
“Kryeministri veçoi nevojën e ratifikimit në afat optimal të të gjitha marrëveshjeve që dalin nga bashkëpunimi bilateral, përfshirë edhe ato të Procesit të Berlinit. U theksua gjithashtu vlera e shtuar e protokollit dhe dy memorandumeve të mirëkuptimit që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan në mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila u mbajt më 18 nëntor në Prishtinë, si dhe intensifikimi i punës në realizimin e projekteve infrastrukturore që lidhin dy vendet”.
Kryeministri falënderoi kryeparlamentarin për vizitën dhe tha se bashkëpunimi parlamentar ndihmon në rritjen dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.