Kryeparlamentarja zvicerane impresionohet me forcën e familjarëve në Krushë

Prishtinë | 12 Nën 2020 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Parlamentit të Zvicrës Isabelle Moret së bashku me deputetin Mauro Tuena dhe ambasadorin zviceran në Kosovë, Thomas Kolly, të enjten kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Krushë e Madhe për viktimat e luftës në Kosovë dhe personat e zhdukur.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Zvicrës në Facebook, Moret u impresionua nga forca dhe guximi i familjarëve që humbën më të dashurit dhe të zhdukur.

“Delegacioni zviceran gjithashtu u mirëprit me ngrohtësi nga gratë e veja që themeluan kooperativën ‘Gratë e Krushës’. Zvicra është krenare për punën e palodhur të grave të Krushës dhe e impresionua nga cilësia e produkteve të tyre që eksportohen në Zvicër dhe më gjerë:, thuhet në njoftimin e ambasadës zvicerane.

Ditëve të fundit, edhe ambasadorë të vendeve tjera perëndimore vizituan memoriale në Kosovë. Ambasadori britanik Nicholas Abbott dhe ai italian, Nicola Orlando, bënë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Të ngjashme