Kryeprokurori i Ferizajt: Efikasiteti i kësaj Prokurorie është 110% për vitin 2025

Prishtinë | 01 Tet 2026 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Në takimin e 304-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të mbajtur të enjten, raportoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, lidhur me punën e kësaj Prokurorie gjatë vitit 2025. Ai bëri të ditur se efikasiteti i Prokurorisë për këtë periudhë ka qenë 110%, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit, kryeprokurori Çerkini tha se kjo Prokurori ka zhvilluar një punë të mirë, falë angazhimit të të gjithë prokurorëve. Ai bëri të ditur se në fillim të vitit 2025 kanë qenë 590 lëndë të bartura, ndërsa gjatë vitit janë pranuar edhe 2 mijë e 537 lëndë.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe kanë qenë gjithsej 3 mijë e 127 lëndë në punë, prej të cilave janë zgjidhur 2 mijë e 787 lëndë, ndërsa kanë mbetur 340 lëndë me 683 persona.

Çerkini tha se ka pasur edhe ndryshim sa i përket normës orientuese, e cila te të gjithë prokurorët ka arritur në 114%. Sipas tij, deri në shtator të vitit 2025 është aplikuar rregullorja e vjetër, ndërsa nga shtatori ka hyrë në fuqi rregullorja e re.

Sa i përket procedurave alternative, Çerkini bëri të ditur se përmes ndërmjetësimit janë referuar 254 lëndë, prej të cilave 227 janë përfunduar, ndërsa për 27 lëndë është arritur marrëveshje. Ndërkaq, sa u përket lëndëve që kanë qenë në gjykatë, ai tha se 320 lëndë janë përfunduar përmes ndërmjetësimit.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se 56 lëndë janë përfunduar pas marrëveshjes për pranim të fajësisë, ndërsa një numër i madh i marrëveshjeve është arritur pasi aktakuza është ngritur në gjykatë.

Duke folur për vendimet gjyqësore, Çerkini tha se janë 465 vendime përmes të cilave gjykata ka hedhur aktakuzën, duke përfshirë edhe lëndët e përfunduara me ndërmjetësim. Po ashtu, janë 62 lëndë për të cilat është marrë vendim refuzues, 88 vendime për hedhjen e aktakuzës dhe 57 lëndë për të cilat ka arritur afati i parashkrimit.

Ndërsa, sa u përket çështjeve disiplinore, ai tha se ka pranuar gjashtë ankesa, të cilat janë hedhur poshtë si të pabazuara.

Në fund, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, me shtatë vota për, miratuan raportin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Të ngjashme