Kryeprokurori i Mitrovicës: Do të trajtohen lëshimet eventuale të prokurores në rastin e gruas nga Llausha

Prishtinë | 07 Jan 2022 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Prokurorisë së Mitrovicës, Ismet Ujkani, ka thënë se shkresat e lëndës të rastit të dhunës në familje ndaj Lirije Qerimajt, që u vra dy ditë më parë, janë duke u trajtuar.

Deri më tash nuk është ndërmarrë asnjë veprim ndaj prokurores së rastit, e cila trajtoi rastin e datës 1 janar, të cilin djali e kishte lajmëruar policinë se babai Skënder Qerimaj po ushtronte dhunë psikike ndaj nënës se tij, Lirije Qerimajt.

Kjo e fundit u vra katër ditë pas raportimit në Polici ndërsa dorasi dyshohet se është burri i viktimës.

“Ende nuk janë trajtuar shkresat e lëndës, porsa të trajtohen do të ndërmerren masa konform veprimeve apo lëshimeve eventuale që janë në raport me rastin. Do të veprohet sipas kërkesës sepse e ke vërejtur komunikatën e Kryeprokurorit të Shtetit do të veprohet konform kërkesës të gjitha veprimet në raport me prokuroren e rastit në lidhje me çështjen”, tha kryeprokurori Ujkani për Kallxo.com.

Katër ditë para vrasjes, pra më 1 janar, 48-vjeçarja Lirije Qerimaj kishte raportuar në Polici për dhunën që dyshohej se i shkaktonte bashkëshorti i saj Skënder Qerimaj. Policia kishte njoftuar për këtë rast edhe prokuroren kujdestare Stojanka Kasaloviq.

Ajo ishte njoftuar për rastin dhe kishte vendosur që Skënder Qerimaj të lirohej në procedurë të rregullt.

Lirije Qerimaj ishte kthyer në shtëpi pas insistimit të djalit të saj ndërsa në deklaratën para Policisë për rastin e dhunës në familje, ajo kishte kërkuar edhe urdhër mbrojtje.

Mbrojtësja e viktimave Hatixhe Latifi gjatë ditës së djeshme kishte pranuar se viktima kishte kërkuar mbrojtje por për shkak të festave për të njëjtën nuk ishte lëshuar vendimi.

Komandanti i stacionit të Policisë në Skenderaj, Muhamet Kajtazi, ka thënë se zyrtarët policorë nuk kanë pasur ndonjë indikacion se mund të ndodhte diçka pasi gruaja ishte kthyer në shtëpi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me vrasjen e gruas në Llaushë të Skenderajt, duke kërkuar masa urgjente ndaj prokurores kujdestare dhe zyrtares për mbrojtjen e viktimave.

Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se prokurorja e ka lënë dhunuesin e lirë, derisa mbrojtësja e viktimave ka kërkuar që lënda t’i dërgohet me e-mail, në vend se të takohej me viktimën në kohën sa ajo ishte në polici.

Të ngjashme