Kryeprokurori Isufaj takon përfaqësues të Rrjetit të Organizatave Joqeveritare-AVONET

Prishtinë | 08 Nën 2024 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur sot në takim, përfaqësuesit e Rrjetit të Organizatave Joqeveritare, AVONET, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv Kenan Gashi, për të diskutuar mbi përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet PSRK-së dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC-ve), raporton Ekonomia Online.

Ky takim synon të fuqizojë partneritetin në mes këtyre dy të fundit, në fushën e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Nga zyra e Prokurorit njoftohet se gjatë takimit, janë diskutuar disa mënyra se si mund të thellohet më tej ky bashkëpunim, me theks të veçantë tek organizimi i aktiviteteve informuese, për të adresuar sfidat dhe sukseset e rasteve të trajtuara nga Prokuroria Speciale, si dhe lehtësimin në shkëmbimin e informacioneve me OSHC-të, duke respektuar limitet nga korniza ligjore, si Kodi i Procedurës Penale, Ligji për qasje në dokumente publike dhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale çmoi punën e bërë nga AVONET, në monitorimin e vazhdueshëm që i bëjnë institucioneve të ndryshme dhe inkurajoi të njëjtit që të raportojnë vazhdimisht raste, kur ka pretendime për vepra penale që bien në kompetencën lëndore të Prokurorisë Speciale.

Të ngjashme