Kryeprokurori i Shtetit Alekander Lumezi ka thënë se rasti i Dafina Zhubit është në fazën e hetimeve. Kjo për shkak se është duke u hetuar personi i dyshuar për vrasje.
Lumezi ka thënë se është e nevojshme që Prokuroria e Shtetit të kërkojë edhe një super ekspertizë për këtë rast pavarësisht se sa do të kushtojë ajo, raporton Ekonomia Online.
“Prokuroria ka nxjerrë një aktvendim për fillimin e hetimeve dhe në bazë të provave të cilat i kemi ne jemi duke hetuar personin e dyshuar për veprën penale të vrasjes . Është e vërtetë që kemi pasur një ekspertizë e cila ka qenë kontestuese, mirëpo me kërkesën e përfaqësuesit ligjor respektivisht me kërkesën e prindërve ne i kemi dhënë të gjitha shkresat dhe dokumentacionet e lindjes të cilat u kanë shërbyer atyre për t’i dërguar në Zvicër dhe për të marrë një vendim lidhur me rastin”, ka thënë ai.
Lumezi ka thënë se mendimi i ekspertit është diametralisht i kundërt me mendimet të cilat janë dhënë këtu në Kosovë dhe kjo sipas tij është arsyeja që Prokuroria e Shtetit të kërkojë edhe një super ekspertizë.
“Këtë do ta bëjmë pavarësisht se sa do të kushtojë ajo ekspertizë në një shtet të huaj për ta vërtetuar të vërtetën në këtë rast dhe ju siguroj se ky rast nuk është mbyllur por është nxjerr aktvendimi për fillimin e hetimeve po në këtë rast e kemi një vendim që personi i dyshuar i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i është ndryshuar me masën e paraqitjes në stacionin policor” tha ai.
Ai ka thënë se nëse vërtetohen të gjitha faktet se personi konkret e ka kryer veprën penale të vrasjes ndaj tij do të ngrihet aktakuzë
“Nëse vërtetohen të gjitha faktet se personi konkret e ka kryer veprën penale të vrasjes të jeni të bindur që ne do të ngrisim aktakuzë”, ka thënë ai.