Lumezi në Mal të Zi, bën thirrje për luftimin e dukurive kriminale

Prishtinë | 01 Nën 2016 | 16:48 | Nga

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga disa prokurorë nga Zyra e tij, po merr pjesë në konferencën vjetore të prokurorëve të Malit të Zi, e cila po mbahet në kuadër të shënimit të Ditëve të prokurorëve të Shtetit të Malit të Zi.

Gjatë kësaj konference, pjesëmarrësit kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht ndërmjet prokurorive në rajon.

Kryeprokurori Lumezi, duke theksuar se institucioni i Prokurorit të Shtetit nga vendi ynë ka marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Prokurorinë e Malit të Zi, ka pohuar se të gjitha vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë, ballafaqohen me format më të rënda të dukurive kriminale, si ato të krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe të krimit ekonomik, andaj luftimi i këtyre dukurive kërkon bashkëpunim të ngushtë mes shteteve, gjegjësisht institucioneve, të cilat mbrojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi gjatë diskutimit të tij në këtë konferencë ka theksuar nevojën për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe për zbardhjen e rasteve të krimeve të luftës.
Poashtu kryeprokurori Lumezi ka prezantuar praktikat e vendit tonë në aplikimin e dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe përvojat e prokurorëve në rastet e negocimit të pranimit të fajësisë.

Ndër të tjera kryeprokurori Lumezi inkurajoi të gjithë të pranishmit se vetëm me një bashkëpunim të mirë dhe të sinqertë të të gjitha prokurorive në regjion, mund të arrihen rezultate pozitive në luftën kundër dukurive më komplekse kriminale, si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që e drejton, për bashkëpunim me të gjitha prokuroritë e vendeve tjera, me qëllim të parandalimit të dukurive negative.

image-0-02-05-30c0d8ae0663a529f20dd6a9d254bae422cc97cb096cd73e5d6b8a8ddc29aec0-v

Të ngjashme