Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, sot ka pritur në takim pune përfaqësuesen e lartë të ambasadës gjermane, Ellen Burgemeister.
Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, si dhe dy prokurorë nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Fillimisht, në këtë takim kryeprokurori Maloku dhe kryetari Azizi, kanë njoftuar përfaqësuesen e lartë të ambasadës gjermane, mbi funksionimin dhe efikasitetin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor.
Gjatë këtij takimi është diskutuar kryesisht rreth sistemit të drejtësisë, për arritjet dhe sfidat në fushën e sundimit të ligjit, në mënyrë që të ofrohet ndihmë e ndërsjellë juridike në procedurat penale, nga të dy shtetet.
Gjithashtu, edhe përfaqësuesja nga ambasada gjermane, ka ofruar mbështetjen e shtetit të saj, që edhe më tej të ndihmojë sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Në fund të takimit, kryeprokurori Maloku, është shprehur falënderues ndaj Republikës Federale të Gjermanisë, për kontributin dhe qasjen ndaj Kosovës, si dhe është shprehur i përkushtuar që bashkëpunimi mes dy vendeve në të ardhmen të thellohet edhe më shumë.