Kryeqyteti me shpërblime për ideatorët e transformimit të hapësirave publike

Prishtinë | 03 Nën 2023 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar rreth një konkursi të titulluar “Ide për Prishtinën”.

Në një postim në Facebook, Rama tregoi se konkursi ka të bëjë me ide për transformimin e hapësirave publike të kryeqytetit.

“Ideja themelore është se si mund të përmirësojmë ose transformojmë hapësirat publike dhe rrethinat e tyre. Këto propozime mund të jenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga trotuaret, udhëkryqet, drita të qytetit, tabelat, fasadat e ndërtesave, vitrinat, çatitë, kalimet, tunelet, parqet dhe zona të tjera të gjelbëruara, shatërvanët, sheshet, tregjet, pikat e informacionit, pavijonet, ndërtesat e reja publike, apo edhe zgjidhje urbane utopike”, tha kryetari Rama.

Sipas tij, në këtë konkurs mund të marrin pjesë banorë apo thjesht vizitorë në Prishtinë, të çdo moshe, kombësie apo prapavije profesionale.

Propozimi më i mire do të shpërblehet me çmimin “Rexhep Luci” i cili përfshin shpërblime monetare si: vendi i parë pesë mijë euro, vendi i dytë një mijë euro dhe vendi i tretë pesëqind euro.

Data e përfundimit të këtij konkursi është 01.02.2024.

Të ngjashme