Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS-it, Alpin Dogan, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e kompanisë, morën pjesë në manifestimin tradicional informativ-kulturor, “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”.
Ky manifestim, i cili u organizua nën patronazhin e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe që u mbajt në sheshin “Ibrahim Rugova”, në Prishtinë, është vetëm njëri nga aktivitetet në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, mbështetës i vazhdueshëm i të cilit është KEDS-i përgjatë tërë muajit.
“KEDS përgjatë këtij muaji po mbështet iniciativat e rëndësishme për të ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe në mbështetjen e grave në luftën kundër kancerit të gjirit”, tha Kryeshefi Ekzekutiv, Alpin Dogan.
Presidentes, gjatë këtij manifestimi, si mbështetëse e kësaj kauze, iu dhurua si shenjë falënderimi nga punëtorët e kompanisë një kapelë rozë me sloganin Roz – Kontrollohu – Afat të fushatës së kompanisë.