Kryesia e Vetëvendosjes nesër i diskuton dorëheqjet

Prishtinë | 09 Jan 2018 | 15:26 | Nga

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje nesër do të takohet edhe njëherë për të diskutuar për dorëheqjet e fundit në këtë parti dhe për këtë do të ftohen të marrin pjesë edhe vet të dorëhequrit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com ushtruesi i detyrës së sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi.

“Sipas të gjitha gjasave do të mblidhemi nesër. Nesër do të diskutohet edhe dorëheqjet e fundit. Të ftuar kanë me qenë të gjithë edhe ata që kanë dhënë dorëheqje, tash secili vendos për vetën e vet a vijnë ose jo, por të ftuar do të jenë të gjithë”, tha Kurteshi  që shtoj se për pak kohë do të mirret vesh edhe ora e mbajtjes së mbledhjes dhe do të iu dërgohet ftesa.

Së fundi në Lëvizjen Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje disa deputet, përfshi këtu, kryetarin e deri tanishëm, Visar Ymerin, nënkryetarin Dardan Sejdiun e që janë edhe deputetë si dhe deputetët, Shqipe Pantina, Faton Topalli dhe Aida Dërguti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me ish kryetarin Visar Ymeri, por ai nuk është përgjigjur.

Ndërsa ish sekratari organizativ dhe deputeti i Vetëvendosjes Dardan Molliqaj tha se ende se ka marrë ftesën për këtë mbledhje, ndërsa nuk është përgjigjur kur është pyetur nëse do të shkojë në mbledhje pas marrjes së ftesës.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina që së fundi ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se nuk do të marrë pjesë nesër në mbledhje.

“Unë jam në pushim. Nuk jam fare në Prishtinë, andaj nuk mund të marrë pjesë edhe pse zyrtarisht nuk kam asnjë ftesë, por edhe po të kisha për shkak që jam jashtë Prishtinës nuk mund të shkoj”, tha shkurtimisht.

Për dorëheqjet në Vetëvendosje ka folur sot edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili tha se në mbledhjen e kryesisë do të diskutohet edhe njëherë këto çështje.

Në mbledhjen e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje iu është kërkuar të gjithë anëtarëve të dorëhequr që të kthehen në kryesi dhe ti diskutojnë problemet e brendshme të kësaj partie.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme