Kryesia e Kuvendit ka thirrur mbledhje me kryetarët e grupeve parlamentare, për të premten paradite, ndërsa në rend dite është dhe kërkesa e një grupi të deputetëve “për organizimin e një debati profesional-shkencor mes komisionit shtetëror për Demarkacion dhe grupit të njohësve profesionistë për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e Demarkacionit Kosovë-Mali i Zi”.
Sipas njoftimit të dërguar medieve nga Zyra për Informim e Kuvendit, në mbledhjen e Kryesisë do të diskutohen përgatitjet për seancën plenare:
Në rend dite, të seancës së ardhshme pritet të jenë:
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-106 për Ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-104 për Ratifikimin e Marrëveshjes Përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor,
- Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-101 për performancën energjetike në ndërtesa,
- Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-105 për Mbrojtjen e Fëmijës,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-087 për Kundërvajtje,
- Shqyrtimi i Raportit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2015,
- Shqyrtimi i Raportit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2015,
- Shqyrtimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/L-182 për mbrojtje nga dhuna në familje.
Po ashtu, Kryesia do të shqyrtojë kërkesën e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor që Qeveria e Republikës së Kosovës ta hartojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-139 për shpronësimin e pronës së paluajtshme, ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-205.