Kreu i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka folur për pakënaqësitë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës me propozimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për shtesat e rrezikshmërisë.
Zeqiri ka thënë se ka pakënaqësi të mëdha lidhur me shumat e propozuara nga Qeveria dhe se që nga dalja e propozimit ka pasur dorëheqje nga radhët e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Kreu i Sindikatës ka thënë se pakënaqësia është e madhe mes pjesëtarëve të Policisë.
“Pakënaqësia është e madhe. Dua ta deklaroj edhe një shqetësim që e kemi si sindikatë, e që duhet ta ketë edhe Qeveria. Që nga dalja e këtij propozimi ka disa dorëheqje, e që ato dorëheqje që nga fillimi janë mbi 60 deri tani. Unë kam informacione që kemi pas (dorëheqje)”, ka potencuar Zeqiri, shkruan Gazeta Express.
Ai ka thënë se një hetues i krimeve të rënda që ka marrë shtesë të sigurisë 180 euro, sipas propozimit do t’i marrë 75 euro.
Zeqiri ka thënë se presin përmirësime të propozimeve, meqë Policia dobësohet nga dorëheqjet vullnetare.
Ai ndër të tjera ka thënë se Policia ende as s’ka sigurim shëndetësor dhe jetësor.