Kryetari i Sindikatës së minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, tha se greva ka prodhuar rezultat, teksa kërkesa për shkarkimin e ushtruesit të detyrës të kryeshefit Enis Abdurrahmani, do të modifikohet.
Në një intervistë për Ekonomia Online, kryesindikalisti i minatorëve ka folur për suspendimin e tij dhe katër minatorëve tjerë. Këtë vendim, pret që ta shfuqizojë Bordi.
Sipas tij, kërkesat e kanë qenë minimale dhe vonesat kanë qenë të paarsyeshme. Jonuzi madje ka thënë se kanë marrë zotime nga instancat më të larta që kërkesat do të realizohen.
“Kërkesat kanë qenë minimale por vetëm për hapjen e dialogut minatorët kanë lëshuar një lloj modifikimi në raport me pikën e dytë që ka qenë llogaridhënia e kryeshefit dhe shkarkimi i tij. Në këtë rast minatorët kanë gjetur një kompromis edhe e kanë modifikuar atë ku tashmë është përgjegjësi dhe detyrë e bordit që sa më shpejtë të tejkalohet me u zgjidh ky problem, besoj që është arritur në raport sepse për këtë janë zotuar edhe deputetet edhe përfaqësuesi i Ministrisë Ekonomisë dhe gjithashtu përmes emali-it është zotuar edhe kryesuesja e Bordit të përkohshëm për të cilët janë zotuar që do të realizohen ato kërkesa dhe mendojmë që është arritur ajo që e kemi kërkuar pavarësisht gjatësisë së grevës mirëpo ne është më e mira sepse në këtë rast është ruajtur edhe jeta por edhe shëndeti i minatorëve, dhe si rezultat i kësaj minatorët kanë dialogu edhe kanë bë përpjekje që të dalin nga kjo situatë vetëm për hire të shëndetit edhe jetës së tyre”, ka thënë Jonuzi, teksa për zgjatjen e grevës fajëson institucionet dhe Bordin e Trepçës.
Ai thotë se plotësimi i kushteve të tyre, do të prodhojë rezultate në vetë ndërmarrjen.
“Kjo ka zgjat më tepër sesa ishte dashur që të zgjas sepse sikur të bëheshin këto përpjekje që nga fillimi nga akteret kryesorë që e kanë negociuar këtë besoj që në ditët e para kishte mundur të arrihej një zgjidhje mirëpo është çështje e tyre për këto vonesa por është e rëndësishme që jemi dalur nga kjo situatë edhe ne zotohemi si minatorë që do japim kontributin tonë mirëpo shpresojmë që edhe ata do të reflektojnë edhe të financojnë dhe ta ndihmojnë Trepçën me të hyra dhe mjete financiare që të arrijmë një rezultat. Nevojiten mjete të punës janë në raport nëse ato mjete na vijnë edhe rezultati edhe efikasiteti edhe llogaridhënia edhe kontributi do jetë më i madh dhe ne si minatorë zotohemi që Trepça është e minatorëve dhe miniera është e minatorëve dhe ne do të punojmë në të mirë të prodhimit sepse është e nevojshme që kushtet tona dhe veprimtaria jonë të zhvillohet dhe të avancohet sepse vetëm kjo na ruan sigurinë edhe shëndetin”, thotë ai.
Ndërsa vendimin për shkarkim nga puna, Jonuzi thotë se e ka kuptuar së voni. Ai shton se greva është iniciuar nga vetë punëtorët dhe jo nga sindikata, duke shtuar se pret që ky vendim të shfuqizohet nga Bordi, raporton EO.
“Para dy dite e kemi marruar zyrtarisht vendimin e suspendimit dhe presim që të reflektojnë por janë zotuar edhe ata që do ta rishikojnë këtë vendim dhe do ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët që ta tejkalojmë këtë situatë ,mirëpo kjo ka qenë gabim sepse të grevosh duhet pasur arsye sepse asnjë sindikatë apo krysindikalist nuk mund t’i nxisë këto minatorë që të qëndrojnë aty për dhjetë ditë, këtë e ka bërë mos reflektimi i vazhdueshëm mos komunikimi dhe mos investimet dhe kjo ka bërë që ata të ndihën të lënë anash, dhe kjo ka ardhur si pakënaqësi e të gjithë minatorëve dhe janë futur në grevë. Në raport më Sindikatën është gabim sepse është institucion juridik dhe e dinë ligjin dhe sikur ta kishim organizuar ne me patjetër që do ta formonim Këshillin Organizativ do të respektonim procedurën ligjore por kjo nuk ka qenë organizim i sindikatës dhe për këtë nuk e marrim përgjegjësinë dot, mirëpo ne e kemi mbështetur sepse jemi minatorë dhe e dyta jemi sindikaliste dhe si të tillë ne është dashur që ta përçojmë zërin e atyre sepse një pjesë dërrmuese e tyre kanë qenë anëtarë të sindikatës”, u shpreh ai.
LEXONI EDHE: