Mëngjesin e së enjtes u raportua se Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës do të protestonte sot në shenjë pakënaqësia me shtesat për rrezikshmërinë.
Por, Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri për Gazetën Online Reporteri.net ka mohuar se një protestë e tillë do të mbahet.
“Jo nuk ka protestë nga ta. Ata nuk do të protestojnë as brenda e as jashtë”, tha ai për Reporteri.net, referuar raportimeve se një protestë e tillë e NjSO do të zhvillohej jo si ajo e djeshmja, por thjesht me mos-prezencë në vendin e tyre të punës.
Ditën e djeshme, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, dhe ata të Njësitit për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës.
Ata kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.
Ata kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të reflektojë dhe të takohen për të diskutuar për realizimin e kërkesave të tyre.
Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre.
“Nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. Ju i nderuar kryeministër i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, me jetën e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator. Kërkojmë që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe të pranoni kërkesat tona dhe presim që së shpejti të takohemi dhe t’i zgjidhim së bashku.