Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, u prit në takim sot nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth ngritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor, si dhe rritjes së dinamikës së procedimit të lëndëve në rastet civile.
Në këtë takim, u diskutua për pezullimin e grevës së punonjësve të sistemit të drejtësisë, me ç’rast u fol për projektligjin për administratën e sistemit të drejtësisë dhe atë të pagave, si edhe për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale.
Kryesuesi Zogaj njoftoi Kryeministrin Kurti lidhur me punët dhe sfidat e sistemit gjyqësor, në veçanti për procesin e rekrutimit të gjyqtarëve të rinj dhe bashkëpunëtorëve profesional.
Mes tjerash, u diskutua lidhur me strategjinë për trajtimin në afat sa më të shkurtër të rasteve, sidomos ato të natyrës civile.
Zogaj falënderoi Qeverinë për miratimin e vendimit për shpronësime për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të KGJK-së.
Kryesuesi i KGJK-së, kërkoi përkrahje nga Qeveria e Kosovës për sistemin gjyqësor, me ç’rast Kryeministri Kurti u zotua për mbështetje, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe transparencës në gjyqësorin e Kosovës.
Po ashtu, Kryeministri Kurti falenderoi Kryesuesin Zogaj për angazhimin e tij dhe shprehi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës me qëllim të adresimit të sfidave të gjyqësorit të Kosovës.