Kryesuesi i KPK-së: S’bëjmë përndjekje politike e nuk shohim emra, të korruptuarit do të dënohen

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 11:17 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni në konferencën e fundvitit tha se janë në proces të hartimit të strategjisë për trajtimin me prioritet të lëndëve të korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, gjatë këtij viti ka pasur aktakuza të profilit të lartë, po që shtoi se nuk bëjnë përndjekje politike dhe nuk merren me emrat e të akuzuarave.  

Ai thotë që aktakuzat e ngritura mbështesin në prova, duke sqaruar se nga 279 raste të korrupsionit janë zgjidhur 260 raste ose 94 për qind e rasteve të pranuara.

“KPK-ja është në proces të hartimit të strategjisë për trajtimin me prioritet të lëndëve të korrupsionit. Niveli i lartë i korrupsionit janë të gjithë personat që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

“Ne nuk bëjmë përndjekje politike, të gjitha atë që keqpërdorin detyrën zyrtare. Nuk ia shohim emrin po do të akuzohen të gjithë nëse ka prova që mbështesin aktakuzën”.

“Nga 279 raste të korrupsionit janë zgjidhur 260 raste ose 94 për qind e rasteve të pranuara”.

Ai më tej ka sqaruar se kanë hartuar dhe miratuar një varg aktesh nënligjore dhe rregullore me anë të të cilave kanë qëllim zbatimin e planit të punës dhe arritjen e qëllimeve.

“Me qëllim të zbatimit të kompetencave tona kemi hartuar dhe miratuar aktet nënligjore e rregullore. Këshilli ka miratuar planin strategjik për vitet 2019-2021. Këto strategji janë hartuar me synim ngritjen e  efikasitet dhe cilësinë në komunikim me publikun, procedurat e emërimit të prokurorëve e ndarjen e lëndëve”.

“Në vitin 2019 ka përfunduar procesi i rekrutimit të 12 prokurorëve të rinj. Me këtë proces Këshilli ka arritur 197 prokurorë, ky proces ka qenë meritor”.

Sipas tij, është avancuar procesi i përzgjedhjes dhe janë emëruar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe asaj Themelore.  

Ai ka sqaruar se me kanë bërë avancimin e 5 prokurorëve me qëllim të trajtimit të lëndëve penale.

“…me qëllim të trajtimit të lëndëve penale kanë ndodhur avancime 5 prokurorë nga departamenti i Përgjithshëm në departamentin për Krime të Rënda dhe për të miturit”.

Kur foli për buxhetin ai tha kanë kërkuar 18 milionë euro për vitin tjetër, përderisa për këtë vit kanë realizuar 98% të buxhetit nga 14 milionë sa kanë pasur në dispozicion.

“…buxheti mbi 14 milionë e qe është për 1 milion më i madh se vitin 2018. 98 për qind të buxhetit e kemi realizuar. KPK-ja ka dërguar kërkesë buxhet mbi 18 milionë nëse aprovohet do jetë më efikas”.

Hyseni theksoi se këtë vit kanë marrë edhe masa disiplinore ndaj prokurorëve.

Kur foli për sfidat tha se mbetet moskompletimi i përbërjes së Këshillit, buxhetit, mungesa e legjislacionit etj.

Të ngjashme