Kryesuesi i seancës konstituive i thërret përfaqësuesit e partive politike për konsultime

Prishtinë | 17 Pri 2025 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Në nisje të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje, ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime lidhur me atë se si të vazhdohet tutje, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se këto konsultime janë të nevojshme në mënyrë që “të mos bëjmë shkelje procedurale, ligjore dhe kushtetuese”.

Kuvendi i Kosovës sot vazhdoi seancën konstituive, që u ndërpre më 15 prill.

Të martën, deputetët dështuan të miratonin pikën e parë, atë të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumeve.

PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit, duke argumentuar se anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që më herët të japin dorëheqje.

Këto parti insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilëson si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje, pasi argumenton se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.


Të ngjashme