Kryesuesi Zogaj: Qytetari i Republikës së Kosovës pret shërbim nga Gjykatat, jo nga Këshilli

Prishtinë | 27 Mar 2025 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e 344-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), të enjten, kryesuesi Albert Zogaj tha se qytetarët dëshirojnë të kenë shërbime nga Gjykatat dhe jo Këshilli, duke kërkuar që të zvogëlohet formati i tij.

“Qytetari i Republikës së Kosovës e pret shërbimin nga Gjykata dhe jo nga Këshilli, secili qytetar do me pas shërbimin e gjykatave dhe jo Këshillit, kështu që të fillojmë zvogëlimin e formatit të Këshillit”, tha kryesuesi Zogaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky deklarim erdhi pas diskutimeve që anëtarët e Këshillit kishin lidhur me rekomandimi e Asamblesë që gjykatësi Agron Maxhuni të jetë personi ndërveprues me Komisionin për Administrimin e Gjykatave (KAGj).

Kurse, anëtari i Këshillit- Vilard Bytyqi u shpreh se caktimi i Maxhunit nuk duhet të kuptohet si ndërhyrje në kompetencat e KAGj-së dhe se Komisioni ka detyrat dhe përgjegjësit e veta.

Zogaj theksoi se qëllimi është vetëm lehtësimi i komunikimit dhe jo ndikimi në përgjegjësitë e dikujt.

Në këtë takim, më pas u miratua ndryshimi i planit të punës për Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe atë në Gjakovë, si dhe u dërguan për lirim nga detyra e gjyqtarit për shkak të arritjes së moshës së pensionimit, gjykatësit: Islam Thaqi, Adem Shabani, Ragip Namani dhe Sahit Krasniqi.

Po ashtu, Këshilli shpalli konkursin për certifikim dhe emërim për përkthyes dhe/apo përkthyes dhe interpretë gjyqësor për çiftin e gjuhëve.

Ndërkaq, u hoq nga rendi i ditës Themelimi i Komisionit përzgjedhës për testimin dhe vlerësimin e kandidatëve për përkthyes dhe/apo përkthyes dhe interpretë gjyqësor për çiftin e gjuhëve.

Kjo pasi që Bytyqi tha se ka shqetësime nga ana e kandidatëve lidhur me procesin e vlerësimit, duke kërkuar që anëtarë të Komisionit për ankesa të mos jenë vetëm gjykatësit, por edhe njohësit e gjuhëve të huaja.

Më pas, anëtari i Këshillit, Fahrt Vellija tha se vetë Rregullorja për përkthyes parasheh që anëtarë të jenë gjykatësit dhe jo dikush tjetër me rolin që të vlerësojnë aspektet teknike të konkursit si Komision.

Më pas, vetë Zogaj tha se shqetësimi që ka ngritur Bytyqi është serioz, për çka pas përpilimit të një raporti nga shefja e përkthimit në mbledhjen tjetër e vendosin se si të vijohet me këtë pikë të rendit të ditë.

Të ngjashme