Kryetar vepro – zbatoje vendimin e Gjykatës!

Prishtinë | 30 Gus 2023 | 22:17 | Nga Ekonomia Online

(Reagim nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Ambientit në Klinë)

Pas më shumë se tre (3) vitesh, qytetarët e Klinës kanë fituar në betejën e tyre për drejtësi. Qeveria e Republikës së Kosovës – Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore kishte ushtruar padinë për konflikt administrativ, kundër të paditurës Komuna e Klinës, me bazën anulim i vendimit nr. 06-8940/20. Se fundmi Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim në lendën gjyqësore me shenjen A. Nr. 1962/2020, duke e hedhë poshtë padinë e datës 13.11.2020, si e palejueshme.

Po çfarë përmbante vendimi i asamblesë komunale i cili u bë shkak që të përfundonte në Gjykatë?

Pas shqyrtimit të Peticionit të qytetarëve të Komunës së Klinës për refuzimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos, nr. 01-350-6830/2020, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Klinës, të mbajtur më datë 05.03.2020, merret ky:

V E N D I M

  1. ANULOHEN, të gjitha pëlqimet dhe dokumentet tjera urbanistike që janë dhënë lidhur me guroret për furnizim me lëndë të parë për fabrikat e çimentos;
  2. Anulimi si nga pika 1 e këtij vendimi vlen edhe për rastet e ndërtimeve fillestare të fabrikave të çimentos;
  3. Obligohet Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit që paraprakisht pas pranimit të kërkesave dhe draft-dokumenteve urbanistike sipas këtij vendimi, t’i drejtohet Kuvendit të Komunës;
  4. Për të gjithë operatorët ekzistues dhe të rijnë – seperacionet të pezullohen aktivitetet e prodhimit;
  5. Pezullimi si në piken 4 të këtij vendimi hyn në fuqi pas 6 muajve nëse operatoret – seperacionet nuk i plotësojnë kriteret mjedisore sipas lejeve të veçanta për operim dhe pëlqimeve mjedisore;
  6. Kërkohet që debatet publike të ndërlidhura me aktivitetet minerare të njoftohen dhe organizohen në objektin e Komunës se Klinës;
  7. Drejtoria e Urbanizmit dhe e Mbrojtjes së Mjedisit, obligohet që t’i anulojë të gjitha pëlqimet e lëshuara për guroret e lëndës se parë për fabrikat e çimentos si nga pika 1 dhe 2 e këtij vendimi;
  8. Ky vendim hyn në fuqi në përputhje më dispozitat e LVL-03/L-040 e nenit 17 të Rregullores së (MAPL-së) nr. 01/2017 për Procedurën e Hartimit dhe Publikimit të Të Akteve të Komunës.
    Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, ky vendim i Asamblesë Komunale në Klinë tani është i plotfuqishëm në të gjitha pikat e tij.

Është koha e fundit që qeverisja lokale në Klinë të zbatoj vendimin e Asamblesë Komunale i cili është votuar me unanimitet. Ky vendim pasqyron vullnetin e qytetarëve të Klinës, vullnet ky i shprehur edhe përmes peticionit por edhe përmes kundërshtimeve të shumta nëpërmjet organizimeve të ndryshme për të kundërshtuar ndërtimin e fabrikës së çimentos në Klinë. Falë organizimit qytetar është garantuar ruajtja e ambientit në Klinë, andaj është koha që Kryetari dhe garnitura e tij qeverisëse në Klinë të reflektoj ndaj kërkesave të qytetarëve dhe të heqë dorë nga kauza djallëzore e ndërtimit të kësaj fabrike, ky reflektim më së miri argumentohet duke anuluar vendimin për kushte ndërtimore dhe vendimin për leje ndërtimore për operatorin ekonomik Wallingford International Kosovo L.L.C., jo për tjetër, por edhe për faktin se tanimë kjo kauzë është e vdekur.
Kryetar, hap rrugë për organet hetuese, shkarko nga detyra e drejtorit nënshkruesin e vendimit për kushte ndërtimore z. Lorenc Marleku dhe nënshkruesin e vendimit për leje ndërtimore z. Enver Berisha, në të kundërtën do të përballësh me mllefin qytetarë dhe do të jesh bashkëfajtor në tentimin për shfajësimin e këtyre dy personave, të cilët tanimë edhe sipas vendimit gjyqësor kanë nxjerrë vendime të ngutshme dha ka dyshime për konsumim të veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

TRIUMFI I QYTETARËVE TË KLINËS NË BETEJËN PËR DREJTËSI!

Nga fillimi qytetaret e organizuar për kundërshtimin e fabrikës se çimentos në Klinë kishin diktuar shumë parregullësi në procesin e pajisjes me dokumentacion për operatorin ekonomik.
Bazuar në këto shkelje të proceduarve ishte kundërshtuar ashpër fillimi i punimeve për ndërtim te kësaj fabrike. Nisur nga shkeljet e mësipërme si dhe një seri shkeljesh të tjera gjatë procedurës së pajisjes me dokumentacion, si dhe bazuar në mos marrjen parasysh të kundërshtimeve të banoreve, Klinasit organizuan disa aktivitete përfshire organizimin e peticionit, takime të ndryshme më nivelin lokal e qendror, takime me Avokatin e Popullit dhe organizimin e dy protesta gjithë popullore, njëra në 14.05.2022 dhe tjetra më 25.07.2023, në kundërshtim të ndërtimit të fabrikës së çimentos.

Në kauzën tonë për ambient të pastër, kemi krijuar aleanca dhe kemi marr mbështetje edhe nga rrjeti i shoqërisë civile si me poshtë:

  1. EcoZ ;
  2. Let’s Do It Kosova;
  3. Let’s Do It Peja;
  4. Syri i Vizionit;
  5. Qytetarët Aktivë;
  6. OJQ Zana;
  7. ECOTHINK;
  8. DYVÓ;
  9. Organizata për mbrojtjen e mjedisit – Gjethi;
  10. Termokiss
  11. Health of Nature in Kosovo
  12. OJQ Gjeomjedisi

Po ashtu në organizimin e protestës se 25.07.2023, e cila kishte për qëllim kundërshtimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos në Klinë, Këshilli Organizativ ka takuar dhe ka marr mbështetjen e z. Gazmend Muhaxheri – Kryetar i Komunës se Pejës, z. Ekrem Kastrati – Kryetari i Komunës së Malishevës dhe z. Ilir Ferati – Kryetar i Komunës së Istogut, të cilët shqetësoheshin nga ndotja në komunat e tyre në rast të ndërtimit të kësaj fabrike.

Në përpjekje për të kundërshtuar banorët e organizuar, Kryetari i Komunës së Klinës, ndaj organizimeve qytetarë, kishte reaguar përmes një postimi në rrjetin social facebook, ku qytetarët i quante të dezinformuar dhe kishte thëne se komuna ishte e obliguar për pajisen me dokumentacion të operatorit ekonomik. Ka qenë fare e lehtë që të refuzohet nxjerrja e vendimit për kushte ndërtimore dhe vendimit për leje ndërtimore nën arsyetimin se lënda është në proces gjyqësor dhe pas përfundimit të procesit gjyqësor të vendosej se a do të duhej të nxjerrët vendimi për kushte ndërtimore dhe vendimi për leje ndërtimore.

Çka nëse qytetarët nuk do te reagonin?

Nëse qytetarët nuk do të organizoheshin në kundërshtimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos, sa për qeverisjen lokale, sot fabrika do të ishte pothuajse e ndërtuar. Në këtë situatë janë të pashmangshme pyetjet:
Kush do të merrte përsipër dëmtimin ambientit në kodrën e Dollcit dhe Greminkut?
Kush do të duhej që të kompensonte koston e ndërtimit të kësaj fabrike?
Kush do të shpaguante dëmet materiale të banorëve përreth?
Kush do të mund të kthente në jetë burimet e ujit në fundkodrën e Gremnikut?

Këto janë vetëm disa prej pyetjeve që çdonjëri prej nesh kërkon përgjigje nga Kryetari Zenun Elezaj!

Përgjatë kësaj kohë prej afro katër (4) vitesh, grupi i organizuar për kundërshtimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos, nga qeverisja komunale në Klinë është linçuar dhe sulmuar, kemi kaluar nëpër situata jo të lehta, në vend se të mbroheshim nga Policia e Kosovës, në shumë raste kishe indicie që të mbrohej vetëm operatori kurse qytetarët kërcënoheshin. Por në kauzën tonë për ruajtjen e mjedisit në Klinë, ishim të pakompromis, andaj sot Kryetari z. Zenun Elezaj, e ka obligim moral të na falënderoj publikisht që u bëmë gardian të ruajtjes së mjedisit në Klinë. Sigurisht që nuk befasohemi edhe nëse na shan prapë, siç rëndom ka bërë por është një moment i rrallë ku mund të vlerësohet qytetaria aktive. Për fund ska gjë më të rëndësishme se sa fakti që sot, fitues janë qytetarët e Klinës, qytetarët e komunave përreth Klinës dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.
Këshilli organizativ i qytetareve kundërshtues ndaj ndërtimit të fabrikës së çimentos në Klinë, falënderon dhe është mirënjohës për mbështetje në organizimet tona, për: banorët e fshatrave dhe qytetit të Klinës, mërgatën e Klinës, mediat lokale, nacionale dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile, asamblistët e Kuvendit Komunal të Klinës të cilët votuan vendimin nr. 06-8940/20, ekspertet e fushave të ndryshme të cilët bashkëpunuam me ne dhe çdo dashamir të mjedisit të pastër.

Të ngjashme