Kryetari i Apelit: Gjendja në gjyqësor ka ndryshuar, po jepen dënime meritore

Prishtinë | 01 Kor 2020 | 21:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se ka përmirësime në gjendjen e gjyqësorit në Kosovë.

Në Deskun e KOHËS, Shalës i është kujtuar një deklaratë e dhenë para dy vjetësh në KTV, kur ishte shprehur se “ka një lloj kompromis mes gjyqtarit e prokurorit, sepse nëse vërteton gjykata se një person ka kryer vepër penale të veprimit korruptiv duhet të marrë vendim dënim meritor e jo me kusht”.

“Në këto raste po ndodh se po lidhen kompromise ‘të fshehta’ mes gjyqtarit e prokurorit, edhe shpallet fajtor por i jepet dënimi me kusht. Nuk ka dënim me kusht, nëse vërteton gjykata se x personi ka kryer vepër penale me veprime korruptive”, kishte thënë ai më 2018.

Ndërsa, në ditën kur në rastin “Pronto” u dënuan tre persona me burgim me kusht, Shala ka thënë se gjendja ka ndryshuar në raport me para dy vjetëve.

“Besoj që ka ndryshuar gjendja. Kemi shumë dënime që kemi dhënë. Kemi ndryshuar vendime dhe kemi dhënë dënime meritore. Ajo që kam thënë para dy vjetësh ka ndryshim. Ka prokurorë që vërtetë ngritin akuza të argumentuara dhe me prova, e kur kemi akuzë të tillë është më lehtë edhe për gjyqtarët. Kur s’kemi argumente apo kemi me gjysmëargumente, rrjedhin këto probleme siç i cekën në këtë rast, ku jam i hendikepuar të flas”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Apeli ka pasur raste kur ka dënuar me burgim në rastet e profilit të lartë e që më parë ishin liruar nga Themelorja.

Të ngjashme