Shqiptarët në Serbi janë në pozitë të vështirë dhe çdo ditë e më shumë po largohen nga komunat shqiptare. Kështu tha kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, gjatë ligjëratës që ai e mbajti në Kolegjin ISPE, me temën “Pozita e shqiptarëve në Luginë dhe mundësia e shkëmbimit të territoreve”.
Kamberi, teksa bëri dallimin e shqiptarëve të regjistruar mes viteve, tha se diferenca mes viteve është tendencë e spastrimit etnik që Serbia ka bërë, raporton Ekonomia Online.
“Komunat tona bëjnë pjesë në komunat më të pazhvilluara në Serbi. Potencialet ekonomike të kohës së komunizmit mbahen peng: as nuk privatizohen, as nuk zhvillohen. Industria e duhanit është privatizu vitin e kaluar dhe kur në konkurs është paraqitë një kompani lokale shqiptare, në mars është anulu konkursi për me ia dhanë një kompanie serbe nga Novi Sadi, por ky anulim i tenderit ishte përcjellë me një fushatë deshqiptarizuese”.
Ai më tutje ka shtuar se ndonëse në Serbi ekzistojnë ligje të cilat sigurojnë mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, zbatimi i tyre në praktikë është problem, raporton EO.
“Në Serbi ekzistojnë ligjet që janë të harmonizuara sa i përket ligjeve të BE-së. Serbia ka një ligj të veçantë të mbrojtjes së pakicave. Problemi është në zbatimin e këtyre normave në praktikë”.
Kamberi tha se në Serbi shqiptarët trajtohen si një element i huaj.
Ndonëse tha se janë të vetëdijshën për dallimin, Shaipi kërkoi që të ketë trajtim të njëjtë ashtu sikurse e kanë serbët në Kosovë, raporton EO.
Ai madje ngriti paralele në kërkesat e serbëve në Kosovë me atë se çfarë kanë shqiptarët në Serbi.
“Ne duam një reciprocitet se si serbët janë të trajtuar në Kosovë. E kemi të qartë se ky reciprocitet nuk mund të jetë i njëjtë, por ka edhe shumë çështje që mund të konsiderohen banale”.
Ai shtoi se Presheva me 30 mijë banorë nuk ka gjykatë.