Safet Kamberi do t’i prijë listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë në zgjedhjet lokale.
Kryetari i degës së LDK-së atje, Gëzim Plakolli, njoftoi për këtë, pa treguar nëse kjo do të thotë se ai do të jetë edhe kandidat për kryetar të komunës.
“Bashkimi është fuqi – Dega e LDK-së në Mitrovicë, më e bashkuar se kurrë!”, shkroi ai, mbi një fotografi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Kamberin.
“Sot, më shumë se kurrë, dega e Mitrovicës po dëshmon se fuqia jonë qëndron në unitet. Bashkimi i të gjitha energjive, ideve dhe vullneteve tona është themeli mbi të cilin do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për qytetin tonë dhe për vendin. Me këtë mesazh dua të informoj të gjithë dashamirët e LDK-së në Mitrovicë, se Safet Kamberi, do ti prijë listës fituese të LDK-së në Mitrovicë”, shtoi Plakolli.
“Ky bashkim nuk është thjesht një akt simbolik – është një angazhim i sinqertë për të ecur përpara, për t’i dhënë forcë LDK-së tonë dhe për të vendosur interesin qytetar mbi gjithçka tjetër”, shkroi ai.