Kryetari i FSHF-së, Duka: S’kemi frikë, i respektojmë kundërshtarët

Prishtinë | 11 Qer 2024 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja shqiptare po përgatitet për finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” në kampin bazë në Kaiserau.

Kur na ndajnë edhe pak ditë nga ndeshja e parë me Italinë, Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zhvilluar një intervistë në “Neës 24”.

Kreu i shtëpisë së futbollit shqiptar ka folur për atmosferën, pritshmëritë, objektivat, kundërshtarët e grupit B dhe si po shkojnë përgatitjet në prag të ndeshjes së parë ndaj Italisë.

Ai e bëri të qartë se nuk ia kanë frikën askujt, por vetëm respekt për kundërshtarët e grupit.

“Frikë, pikërisht kjo është, që nuk duhet të kemi frikë, por respekt po. Kemi tre kundërshtarë shumë të mirë, kujdesi dhe respekti i shtuar për kualitet që kanë, janë të tre skuadra shumë të mira. Italia, rivali jonë i parë, ka kualitete shumë të mira. Shumë mendojnë që nuk është Italia më e mirë, e yjeve të kaluara, por ne e pamë në miqësoren e fundit, atë kundër Bosnjës që ishte e vendosur shumë mirë, me kualitete, një ekip që mund të dëmtojë në çdo moment. Pra jo frikë, por kujdes për kualitetin e rivalëve”, tha ai fillimisht.

Tutje, kryetari Duka beson se Shqipëria ka kualitetet e mjaftueshme ta përballojë këtë grup.

“Unë jam realist dhe mendoj se të tre ekipet janë përfaqësuese shumë të mira, janë pretendentë për të fituar, nuk do të ishte çudi që një prej tyre të fitonte Europianin. Në letër, me statistika, me histori, ne jemi më keq, por në kualifikueset e fundit ne kemi bërë shumë mirë, kemi fituar grupin përpara Polonisë, Çekisë, pra edhe ne kemi bërë progres të jashtëzakonshëm. Nëse marrim historinë, të tre ekipet janë shumë më të mira se ne. Nëse marrim edicionin e fundit kualifikues, skuadra jonë ka bërë mirë, mund ta përballojë dhe mund ta kalojë këtë grup”, shtoi Duka.

Duka vazhdon duke thënë se nuk kanë shkuar në Gjermani për turizëm, por se do të luftojnë me gjitha fuqitë në çdo ndeshje.

“Në çdo ndeshje do futemi për të fituar. Ne në gjitha ndeshjet, unë iu them se nuk kemi ardhur vetëm për turizëm. Unë e di realitetin. Objektivi jonë është që të kalojmë grupin e pastaj të shikojmë se si do shkojnë gjërat. Unë jam me këmbë në tokë, por natyrisht që kemi një objektiv”, përfundoi ai.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e saj të parë të “EURO 2024” ndaj Italisë më 15 qershor në “Signal Iduna Park” në Dortmund.

Më 19 qershor, kombëtarja shqiptare luan me Kroacinë, derisa me 24 qershor përballet me Spanjën.

Të ngjashme