Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës në Prishtinë, me temë: “Zbatimi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë”.
Ky organizim mblodhi bashkë përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me arritjet dhe sfidat e vendit në zbatimin e jurisprudencës evropiane.
Në panelin me temë “Zbatimi i KEDNJ-së në jurisprudencën e brendshme”, kryetari Rexhepi, theksoi rëndësinë e përputhshmërisë së praktikës gjyqësore vendore me standardet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Përkundër përparimit të madh, kryetari ka përmendur dhe elaboruar edhe sfidat aktuale, si qasja dhe njohja e vazhdueshme e jurisprudencës së GjEDNJ-së; ngarkesa e madhe e lëndëve; harmonizimi i legjislacionit me praktikën evropiane dhe arsyetimin e vendimeve.
Kreu i Supremes, potencoi se zbatimi i KEDNJ-së, nuk është detyrë e një gjykate të vetme, apo e një niveli të gjyqësorit, por është një proces i përbashkët, që kërkon angazhim nga të gjithë.
Bëhet e ditur se Kryetari Rexhepi bëri të qarta angazhimet e Gjykatës Supreme për të ardhmen, që përfshijnë, unifikimin e praktikës gjyqësore në përputhje me standardet e KEDNJ-së, publikimin dhe botimin e vendime orientuese që qartësojnë standardet e KEDNJ-së, forcimin e trajnimeve profesionale për gjyqtarë dhe këshilltarë juridikë në fushën e të drejtave të njeriut; avancimin e qasjes në jurisprudencën e GjEDNJ-së për të gjitha gjykatat; dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet vendore, organizatat ndërkombëtare dhe partnerët që na mbështesin në zhvillimin profesional.
“Këto iniciativa synojnë jo vetëm zbatimin formal të Konventës, por krijimin e një kulture gjyqësore të bazuar në respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe në vendime të cilat qëndrojnë të forta, jo vetëm në planin juridik, por edhe në planin moral e shoqëror”, u shpreh kryetari Rexhepi.
Në këtë Konferencë, kanë mbajtur fjalime shefja e Zyrës së KE-së në Prishtinë, Mary Ann Hennessey, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Jeton Bytyqi.
Gjatë konferencës u prezantua hulumtimi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), mbi zbatimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane nga gjykatat vendase.