Kryetari i LDK-së i del në mbrojtje Zhegrovës: Është aset kombëtar, veç vetë e kualifikoi Lillen

Prishtinë | 08 Sht 2024 | 19:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka quajtur aset kombëtar futbollistin kosovar, Edon Zhegrova, pas përjashtimit nga grumbullimi për ndeshjet e shtatorit për shkak të shkeljes së rregullores.

“E kam parë nga afër përkushtimin e tij. Ai edhe në qëndrimet e shkurta në Kosovë tregon disiplinë. Në çdo drekë e darkë që kemi pasur bashkë, ai kujdesej për secilin ushqim. Në Francë madje edhe e raportonte menynë. Pas çdo takimi përfundonte në palestër. Mbi të gjitha ai është i sjellshëm”.

Zhegrova, Aro Muriç e Florent Muslija janë larguar për shkelje të rregullores, por nuk janë dhënë detaje specifike nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ndërsa mediat në vend kanë raportuar se vendimi është marrë pas dyshimeve se ata kanë qëndruar në një klub nate në Prishtinë.

Abdixhiku ka theksuar se Zhegrova është zgjedhur ndër tre futbollistët më të mirë në Francë, ndërsa këtë vit e ka kualifikuar skuadrën franceze Lille në Ligën e Kampionëve: “Në çdo paraqitje të tij ai lartëson Kosovën, manifeston tregimin e bukur të Kosovës! Pra është aset kombëtar!”.

Abdixhiku shkoi edhe më tutje me lavdatat për talentin prishtinas. “Këtë vit, veç vetë e kualifikoi Lillen në Ligën e Kampionëve. Në çdo paraqitje të tij ai lartnon Kosovën, e manifeston tregimin e bukur të Kosovës!”

POSTIMI I PLOTË:

NJË POSTIM MBËSHTETËS PËR NJË DJALË TË RI

Edoni është një djalë i jashtëzakonshëm! Është i sjellshëm, është i edukuar dhe mbi të gjitha është i përkushtuar në atë që bën. Fitoren dhe suksesin e manifeston – siç edhe e thotë ai vet.

E kam parë nga afër përkushtimin e tij. Ai edhe në qëndrimet e shkurta në Kosovë tregon disiplinë. Në çdo drekë e darkë që kemi pasur bashkë, ai kujdesej për secilin ushqim. Në Francë madje edhe e raportonte menynë. Pas çdo takimi përfundonte në palestër. Mbi të gjitha ai është i sjellshëm. Asnjëherë arrogant. Intelegjent në diskutime ani pse është veç në të 20-tat. Të kesh kaq shumë jetë strikte në këtë moshë të re shpesh them se është dënim. Por, ja që vetëm një i përkushtuar – një profesionist – bën kaq disiplinë!

Përtej gjithë këtyre, e pavarësisht gjithë këtyre, Edon Zhegrova është yll evropian.

Ai vjet ishte zgjedhur ndër tre futbollistët më të mirë në Francë. Mbappe ishte i pari. Këtë vit, veç vet kualifikoj Lillen në Ligën e Kampionëve. Në çdo paraqitje të tij ai lartnon Kosovën, e manifeston tregimin e bukur të Kosovës!

Pra është aset kombëtar!
Si i tillë ai duhej mbrojtur si aset kombëtar!

Edoni do të ngritet mbi çdo padrejtësi. Sepse i tillë është. I drejtë dhe fitues. Të drejtit shpesh shkelen sepse është e lehtë, por si fitues që është do t’i mundë të gjithë!

Kokën lartë djalë!
Në vargun e gjatë të dështimeve të futbollit kosovar, je shpresë që në fund Kosova ka me ja dalë! 🙌🇽🇰🔥

Të ngjashme