Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se po ballafaqohen me koronavirusin sikur edhe gjithë komunat tjera të Kosovës. Ka treguar se fshati Janjevë është në karantinë për shkak se atje është diagnostikuar një person me koronavirus.
Ahmeti ka thënë se ka folur me udhëheqësin e fshatit dhe gjithçka deri më tash është duke u menaxhuar siç është më së miri.
“Sigurisht jemi dëgjuar me kryetarin e këshillit të fshatit. Tani për tani nuk kemi diçka të veçante. Fshati është në karantinë komplet në karantinë”, ka thënë Ahmeti, për Express, të shtunën.
Ai ka thënë se ka pasur komunikim me zyrtarët e Qeverisë dhe ka marrë përkrahje për gjendjen që është krijuar në këtë komunë.
“Kemi pasë komunikim me Qeverinë. Janë përgjigjur kërkesave tona për pajisje mbrojtëse të stafit mjekësor. Me kohë kemi reaguar edhe ne si komunë”, ka shtuar ai.
Në Lipjan, në fshatin Janjevë, një 46-vjeçar është prekur nga COVID-19 pasi ishte ardhur nga Gjermania.
Deri tash në Kosovë janë prekur 24 persona me koronavirus. Së pari është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.
Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.
Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.
Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.
Nga data 08.02.2020 deri me 20.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 417 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e katër raste kanë rezultuar pozitive.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.
IKSHP’ja edhe një herë ka bërë thirrje për të qëndruar në shtëpi.
Edhe mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të disiplinuar, pasi tani por sipas tij po futemi në dy javët vendimtare për jetë e më të dashurve tanë.
“Të dashur qytetarë të Kosovës. Po futemi në dy javët vendimtare për jetët e më të dashurve tanë. Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme na mbetet disiplina dhe kujdesi”, ka shkruar Raka në Tëitter.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi. “Fatin e përballjes e keni në duart tuaja, ju lutem rrini në shtëpi”, ka shkruar Raka në rrjetin social.