Kryetari i Nismës në Gjakovë viziton Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatën e të Verbërve

Prishtinë | 30 Sht 2019 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Degës së Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, njëherësh kandidat për deputet, Fazli Hoxha, së bashku me kandidatët tjerë për deputetë të kësaj partie, kanë vizituar të hënën Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Gjakovë, ku u priten nga kryetari i Shoqatës Sadri Hoxha dhe sekretari kësaj dege Sylejman Morava.

Në këtë takim u theksua se programi i Nismës Socialdemokrate parasheh një mirëqenie më të mirë për të gjitha kategoritë e dala nga lufta.

“Si subjekt politik në Qeverinë e ardhshme dhe si deputetët të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës kategoritë e dala nga lufta do t’i përkrahim përmes projekteve konkrete, qoftë me zgjidhje të vendbanimit, punësimit apo në forma të tjera të përkrahjes. Do të kërkojmë që të ndryshohet ligji për veteranët, të cilët aktualisht nuk kanë të drejtë të punojnë. Pra, përmes ndryshimit të ligjit në të njëjtën kohë të kenë të drejtë edhe të punojnë dhe të jenë përfitues të pensionit. Kontributi i tyre për luftën çlirimtare nuk mund të paguhet me asgjë, por ne duhet të krijojmë ligje që nuk i lënë në mëshirën e askujt veteranët, familjet dëshmorëve dhe të martirëve. Pa ta sot nuk do të ishim duke jetuar të lirë në shtetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxha.

Po ashtu, Hoxha së bashku me kandidatët për deputetë vizituan të hënën edhe Shoqatën e të Verbërve në Gjakovë, ku u informuan me hallet e tyre si shoqatë që kanë.

“Kërkesat që na u shpalosen nga Shoqata e të Verbërve në Gjakovë ishin më arsye dhe me erdhi shumë keq që institucionet tona, qoftë të nivelit lokal dhe qendror nuk po japin përkrahjen e duhur për këtë kategori. E kemi obligim t’i përkrahim këtë kategori dhe do të bëjmë gjithçka që kemi mundësi në kuadër të mundësive buxhetore. Si parti, Nisma Socialdemokrate, në qeverinë e ardhshme do të angazhohet më shumë që me projekte të ndryshme që janë të nevojshme për këtë kategori të ofrojë përkrahje institucionale”, ka thënë Fazli Hoxha, kandidat për deputet.

Të ngjashme