Ditët e fundit në Gjykatën Speciale të Hagës janë dhënë tri dëshmi të rëndësishme nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së.
I pari, ish-zyrtari amerikan James Rubin, deklaroi se Hashim Thaçi nuk ka pasur kontroll komandues mbi UÇK-në. Pas tij, profesori Paul Ëilliams dëshmoi se roli i Thaçit ka qenë i kufizuar dhe jo vendimtar. Ndërsa sot, ish-diplomati britanik John Duncan ka nisur dëshminë e tij ku po ashtu ka deklaruar se Komandantët e zonave e kishin fuqinë reale, jo Thaçi.
Lidhur me këtë, në një prononcim për FrontOnline ,Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka vlerësuar se tri dëshmitë e fundit në Gjykatën Speciale të Hagës janë në favor të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
‘’Besoj shumë fuqishëm që këto tri dëshmi të mbrojtjes së Thaçit dhe krerëve do të ndikojnë pozitivisht, të tria janë në favorin e mbrojtjes, ata vetëm po e tregojnë realitetin asgjë tjetër’’, tha ai për FrontOnline.
Ai thotë se dëshmitarët kanë qenë vetë prezentë në Kosovë gjatë luftës dhe për këtë arsye pasqyrojnë realitetin e asaj kohe.
‘’Ata kanë qenë vetë prezentë në Kosovë dhe janë dëshmitarë shumë të mirë vetëm e tregojnë realitetin e asaj kohe’’, tha Gucati.
Sipas Gucatit, dëshmitë e dhëna pritet të kenë ndikim pozitiv në procesin gjyqësor, megjithëse ai shprehu keqardhje që, edhe pas 25 vitesh nga përfundimi i luftës, është dashur të jenë të huajt ata që sjellin para drejtësisë të vërtetën e realitetit kosovar.
‘’Mendoj se këto tri dëshmi do të kenë impakt shumë të mirë mirëpo mua më vjen keq 25 vite pas luftës me ardhë të huajt me tregu realitetin tonë është e turpshme por shpresoj qe mbledhim mend’’, tha ai.