Kryetari i ri i FC Prishtinës Hakif Gashi: Prishtinën do ta çojmë aty ku e ka vendin

Prishtinë | 03 Gus 2022 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Hakif Gashi u zgjodh sot kryetar i ri i FC Prishtinës, me mbështetje të plotë të Bordit të ri Teknik, i cili u mblodh sot.

Ai do ta pasojë Remzi Ejupin, i cili e drejtoi klubin për 18 vjet.

Gashi konsiderohet si një biznesmen i suksesshëm, pasi ndër vite e ka menaxhuar me plot sukses rrjetin e marketeve “Meridian”.

Në një bisedë për “Gazetën Express”, Gashi i ka treguar arsyet se përse vendosi të hynte në botën e futbollit kosovar, respektivisht tek klubi më i madh në Kosovë.

“Është shumë herët të jap mendime dhe vlerësime. Por, mund të them se ajo që më ka shtyrë më së shumti ta marr këtë pozitë është që ta jap kontributin tim, në aspektin e vlerave morale dhe njerëzore. Synojmë t’i rregullojmë gjërat në klub dhe të ecim përpara. Unë jam i përcaktuar për vlera, që më pas sukseset e klubit të dalin në pah”, theksoi fillimisht Gashi.

Ai zotohet se praktikat dhe përvojat e fituara në bizneset që i udhëheq do të mundohet t’i bartë edhe tek FC Prishtina.

“Do të mundohemi ta bëjmë klubin me vlera, që të mburremi të gjithë me të. Ta bëjmë një organizim të mirëfilltë të klubit, në mënyrë që fëmijët tanë ta kenë një ardhmëri shumë më të mirë”, u shpreh tutje Gashi.

Edhe pse nuk e di ende gjendjen në klub dhe rrethanat, ai beson se do të mundohet t’i zgjidhë ato dhe klubi të shkojë sa më lart, duke e dominuar futbollin kosovar dhe duke arritur suksese në garat evropiane.

Gashi tregon se për momentin e ka një përqindje të vogël të aksioneve në klubin prishtinas, por që gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen, pasi të ulët dhe të bisedojë me aksionarët tjerë.

Ai thotë se ka raport korrekt me presidentin e deritashëm, Remzi Ejupi dhe me aksionarin më të madh të klubit, Rrahman Haradini.

Pjesë e Bordit Teknik, krahas Gashit, janë edhe Sinan Vllasaliu e Ismet Begolli.

“E kam besimin e plotë të tyre, jemi njohur si afaristë prishtinas. Kam respekt për ta. Unë jam përcaktuar për vlera dhe ato mund të ngriten duke bashkëpunuar, duke i kryer secili prej nesh punët dhe obligimet që i kemi. Unë kam shumë obligime të tjera, por e dua këtë klub dhe dua ta jap kontributin tim. Do të mundohemi t’i zgjidhim krejt çështjet, përfshirë këtu edhe kushtet e lojtarëve. Duhet të gjejmë kompromis”, përfundoi kryetari i ri i FC Prishtinës, Hakif Gashi.

Të ngjashme