Kryetari i Vushtrrisë njofton për kontrolle të shtuara në shkolla pas dy vrasjeve të fundit

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Pas dy vrasjeve tragjike që ndodhën këtë javë, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka ndërmarrë masa shtesë për të rritur sigurinë në qytet.

Këto masa u morën pas kërkesës së Drejtorisë së Arsimit, me qëllim sigurimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit dhe qytetarët.

Përmes një postimi në Facebook, Idrizi njoftoi se gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka realizuar kontrolle në disa institucione arsimore, përfshirë SHMT “Lutfi Musiqi”, SHMP “Bahri Haxha” dhe Gjimnazin “Eqrem Çabej”. Kontrolli kishte për qëllim verifikimin e sigurisë dhe nuk është hasur asnjë kërcënim.

“Kjo është pjesë e një serie masash që do të vazhdojmë të implementojmë për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe për të luftuar çdo formë të dhunës dhe pasigurisë. Ne do të qëndrojmë të angazhuar për të ofruar mbështetje dhe siguri për komunitetin tonë”, shkroi ai.

Të ngjashme