Natën e së martës, shkoi për një vizitë të rëndomtë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Por, kryetarit të sapozgjedhur të Zubin Potokut, mjekët këtu i rekomanduan një intervenim të një natyre krejt tjetër.
Në ekzaminet e para, doli se Zeqirit i ishte mbyllur njëra nga arteriet e zemrës.
E këtë gjë, Izmir Zeqiri thotë se nuk e kishte pritur
“Fillimisht shkova për një kontroll tjetër, mendova që jam i ftohur pak. Por, kur m’i bën analizat dhe EKG-në, mjekët e hetuan që kam diçka tjetër dhe me urgjencë me dërguan në spital në Prishtinë dhe gjithçka kaloi mirë”, thotë ai.
Zeqiri për Tëvë1, ka treguar edhe për natyrën e intervenimit.
“Në atë incizim u pa që kam nevojë për një stentë dhe ma vendosën atë në arteriet kryesore, jam ndier mirë edhe pas operacionit…nesër (të hënën) kismet do të dalë në punë. Tanimë e kemi themeluar komplet kabinetin e kryetarit dhe drejtorat i kemi zgjedh, i kemi vendos disa gjëra në binarë”, thotë kryetari i Zubin Potokut.
Ani pse i shtrirë në spital qëndroi për disa net kryetari nga radhët e PDK-së, thotë se nuk u vizitua nga krerët e shtetit.
Madje, as nga vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.