Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës pranon dy shkelje të ligjit

Prishtinë | 03 Tet 2017 | 15:23 | Nga

Në debatin për Fushë-Kosovë në RTK të transmetuar të hënën mbrëma, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka thënë se dhjetëra mijëra euro që Komuna i shpenzon për udhëtime jashtë do të përdoren për ndërtimin e çerdheve. Kandidati i LDK-së për kryetar, Burim Berisha, ka tentuar të relativizojë këtë premtim të Avni Zogianit, duke thënë se ai nuk ka bërë udhëtime jashtë vendit.

Mirëpo, pasi që Zogiani ka nxjerrë pasqyrat financiare që tregojnë se shpenzime për udhëtime jashtë ka pasur në buxhetin e Kryetarit të komunës për vitin 2016, Berisha ka thënë se dikush tjetër ka udhëtuar në emër timin.

Kjo paraqet një pranim publik të manipulimeve që bëhen në komunën e Fushë-Kosovës, sepse informacionet që i kemi pasur si Lëvizje Vetëvendosje në Fushë-Kosovë, deri tash jo të konfirmuara, tashmë janë konfirmuar edhe nga vetë Berisha.

Informacionet që kanë rrjedhur nga Komuna e Fushë-Kosovës thonë se udhëtimet jashtë vendit të paraqitura si të zyrtarëve të Komunës së Fushë-Kosovës, përdoren për udhëtime të familjarëve të zyrtarëve të lartë publik. Madje, ka të dhëna që flasin edhe për udhëtime të zyrtarëve të komunës në emër të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Zëri i Kosovës”.

Një moment tjetër në këtë debat, ku Berisha kapranuar se qëllimisht nuk mbledh taksat komunale ka qenë kur kandidati ynë për kryetar, Avni Zogiani, ka folur për analizën financiare të buxhetit komunal, ku shihet se nga qiratë për hapësirat publike të mbledhura nga Komuna kapin shumën prej 280 eurosh. Berisha ka pranuar se kjo kandodhur me pretendimin demagogjik të tërheqjes së bizneseve, por mos-mbledhja e taksave komunale për shfrytëzim të hapësirave komunale është një shkelje serioze e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale, e cila parasheh që shfrytëzimi i këtyre hapësirave nga bizneset tregtare dhe hoteliere paguajnë 8 euro për metër katrorë.

Kështu, në të njëjtin debat, kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, ka pranuar se ka bërë dy shkelje që i kanë shkaktuar Komunës qindra mijëra euro dëme. Kjo gjë do të duhej të hetohej nga organet gjegjëse, sepse mos-mbledhja e këtyre taksave ka kufizuar investimet e Komunës në sektorët që kanë një gjendje të mjerueshme në Fushë-Kosovë, si shëndetësi e arsim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme