Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i ka ftuar qytetarët në Veri që të dalin të votojnë pro ose kundër largimit të kryetarëve aktualë, raporton Ekonomia Online.
“Qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarët me të drejtë vote. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionet komunale të zgjedhjeve në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11 është: në Leposaviq kanë votuar 46 votues. Në Zubin Potok 7 votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e veriut 32 votues”, ka thënë Radoniqi.
Radoniqi ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Në emër të KQZ-së, i ftoj të gjithë qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarit të komunës së tyre”, tha Radoniqi.