Kryeredaktori i RTV Presheva, Hasan Hasani, ka dhënë dorëheqje para pak çastesh për shkak të presioneve nga kryetari i ri i Preshevës, Shqiprim Arifi.
Presioni erdhi për një lajm për opozitën dhe ish-kryetarin e Preshevës, Ragmi Mustafa.
Postimi i plotë i Hasan Hasanit:
Të nderuar kolegë dhe ju qytetarë , nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeredaktorit. Kam kaluar shumë sfida të cilat i kam tejkaluar duke vënë në rend të parë profesionalizmin , mirëkuptim dhe bashkëpunim e ndërsjellët.
Për hir të kolektivit dhe vazhdimit të proceseve në RTV, kam pranuar faktin që edhe një mandat të ushtrojë detyrën e kryeredaktorit , duke u solidarizuar me gjithë kolegët që me pagë minimale të ushtrojë këtë detyrë, pa lënë anash edhe rolin e gazetarit, vetëm e vetëm në të mirë të institucionit.
Por akti sotëm kur shkon dhe përcjellë një ngjarje që nuk i shkon për shtati pushtetit dhe kur nga lartë (jo nga drejtori ) merr urdhrin që konferenca e sotme të mos transmetohet as edhe në edicion të lajmeve , për mua është shokuese dhe denigruese .
Edhe pse gjatë kësaj periudhe kam qenë i anashkaluar nga i pari i komunës , të cilit që në marrjen e detyrës si kryetar , pas mbledhjes me kolektivin dhe ish drejtorin Reshat Neziri , i kam komunikuar se mediumi ynë është në gjendje ti përcjellë çdo aktivitet pushtetit lokal.
Por mospërfillja ka vazhduar deri më sot kur dhe u bë ndërhyrja në politikën redaktuese të Rtv Preshevës. Un e kuptoj qasjen e pushtetit lokal ndaj institucioneve ku është themelues kuvendi ashtu edhe në RTV Presheva ( i cili vazhdon të jetë me status të pa qartë juridik ) , por të pa justifikueshme janë masat nga lartë që të ndërhyhet në punët e brendshme të një mediumi.
Kam kapërdirë të gjitha situatat, por asnjëherë nuk do t’ia lejoj vetes nënshtrimin ndaj asnjë pushteti.
Unë do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e gazetarit për informimin e qytetarëve sa më real dhe objektiv.
Mbetem me shpresë që kjo situatë të qartësohet dhe të ketë distancime nga kjo qasje centraliste, ku për viktimë janë punëtorët, të cilët kanë mbetur nën mëshirë të fatit.