Në forumin “Prishtina 2030: Mundësitë e rritjes së biznesit dhe zhvillimit ekonomik përmes Lojërave Mesdhetare”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi potencialin e Lojërave Mesdhetare për të transformuar qytetin dhe për të rritur vlerat shoqërore e ekonomike. Gjatë forumit, Kryetari Rama nënvizoi se këto lojëra do të sjellin investime të reja, rritje të turizmit dhe do të fuqizojnë pozicionin e Prishtinës si një qendër rajonale për biznes dhe inovacion.
Kryetari i Prishtinës theksoi se është jetike që Prishtina të zhvillojë një masterplan të qartë për infrastrukturën e nevojshme dhe të angazhohet me investitorë të huaj për të realizuar projekte të rëndësishme, si ndërtimi i hoteleve dhe objekteve sportive, por edhe infrastrukturës së transportit dhe infrastrukturës tjetër përcjellëse. Kryetari Rama foli edhe për 23 projektet e prezantuara gjatë dy konferencave të investitorëve të organizuara nga Qyteti i Prishtinës gjatë këtij viti, të cilat ofrojnë edhe mundësi të jashtëzakonshme bashkëpunimi ndërmjet kompanive nga Kosova me ato ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të Diasporës.
Oda Amerikane Rezultatet e anketës prezantoi një anketë të kryer me anëtarët e saj, e cila gjeti se fushat kritike të ndërhyrjes janë përmirësimet në transport, objektet sportive dhe infrastrukturën digjitale, me disa kompani që shprehën gatishmëri për të kontribuar në këto fusha. Gjysma e të anketuarve u shprehën të interesuar në projektet për teknologjinë e qyteteve inteligjente (Smart Cities), derisa sfidat kryesore përfshinin mungesën e informatave dhe mundësive të bashkëpunimit.
Rama nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis autoriteteve të qytetit dhe sektorit privat për të adresuar sfidat e identifikuara nga anketa. Ai po ashtu tha se bllokadat politike dhe mungesa e burimeve financiare mbeten pengesa reale, por theksoi se këto do të tejkalohen përmes bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat dhe institucionet. Ai shprehu besimin se energjia pozitive e Prishtinës dhe interesimi i investitorëve mund të konvertohen në mundësi reale zhvillimi, nëse ka një koordinim të mirë mes sektorit publik dhe privat.
Në përfundim, diskutimi nxori në pah se me një strategji të qartë dhe angazhim të përbashkët, Prishtina ka potencialin për të qenë një lider në rajon, duke krijuar një ambient të favorshëm për investime dhe zhvillim ekonomik.