Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i shoqëruar nga një delegacion nga komuna e Ferizajt, po realizon me sukses një vizitë zyrtare në Bursa të Turqisë. Ai sot u prit nga kryetari i komunës së Bursës Rexhep Altepe, me të cilin bashkëbiseduan për mundësitë e bashkëpunimit në sfera të ndryshme, si: zhvillim ekonomik, kulturë, sport, arsim, shkëmbim të nxënësve, si dhe për mundësinë e stipendimit të studentëve ferizajas nga komunat turke.
Në këtë takim u shpreh gatishmëria e dyanshme për shkëmbimin e vizitave të shoqatave, klubeve, ansambleve dhe grupeve të ndryshme joformale, të cilat do ta përshpejtojnë këtë bashkëpunim. U caktuan edhe grupet profesionale për harmonizimin e tekstit të memorandumit, i cili do të nënshkruhet në njërin nga takimet e ardhshme.
Në fund të takimit u shkëmbyen dhurata të ndërsjella në shenjë nderimi dhe përkushtimi për bashkëpunimin e mëtejmë, si dhe kryetari Altepe u ftua të vizitojë Ferizajn.
Komuna e Bursës, e cila numëron mbi 3 milionë banorë, është e populluar kryesisht nga banorë me prejardhje nga vendet ballkanike, ku një vend të rëndësishëm zë prania e popullatës me origjinë shqiptare. Vetë kryetari i komunës kishte rrënjë shqiptare, me prejardhje nga Shkupi.
Delegacioni i komunës së Ferizajt sot dhe nesër do të ketë takime të ndara me asociacione që tubojnë shqiptarët në Bursa të Turqisë.